Nuk ndalet rritja e qirave, në disa zona në Tiranë çmimet shtrenjtohen deri në 25 për qind
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet po rriten ndjeshëm, duke u kthyer në faktor kryesor të inflacionit.
Qiratë e apartamenteve në Tiranë kanë vijuar trendin rritës edhe gjatë vitit 2026, duke u bërë një nga faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e inflacionit në vend.
Sipas të dhënave të INSTAT për muajin mars, grupi i qirave ka dhënë kontributin më të madh në inflacion, me 0.95 pikë përqindje nga 2.6% rritje totale, duke lënë pas transportin dhe ushqimet.
Rritje deri në 25% në zonat qendrore
Në disa nga zonat më të kërkuara të Tiranës, çmimet janë rritur ndjeshëm. Pranë stadiumit “Dinamo”, apartamentet 1+1 jepen me qira nga 500 deri në 1,000 euro në muaj, nga 500–800 euro një vit më parë, duke shënuar rritje deri në 25% për çmimet maksimale.
Edhe zona e Liqenit ka shënuar rritje, ku qiratë për apartamente 1+1 kanë arritur deri në 1,500 euro në muaj, nga 1,300 euro në vitin 2025, një rritje prej rreth 15%.
Në zonën e Komunës së Parisit dhe rrugën e Kosovarëve, apartamentet 1+1 kanë arritur deri në 900 euro, ndërsa ato 2+1 luhaten nga 1,000 deri në 1,200 euro në muaj, në varësi të përfshirjes së postit të parkimit dhe standardit të ndërtimit.
Periferia më e qëndrueshme
Në zonat periferike, si Fresku, çmimet mbeten relativisht të qëndrueshme. Apartamentet 1+1 jepen me qira rreth 380–400 euro, ndërsa ato 2+1 rreth 450 euro, pa ndryshime të mëdha krahasuar me vitet e mëparshme.
Airbnb po pakëson ofertën për qira afatgjata
Sipas agjentëve imobiliarë, një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve është orientimi i pronarëve drejt qirave afatshkurtra, të cilat sjellin të ardhura më të larta. Kjo ka reduktuar ndjeshëm ofertën për qira afatgjata dhe ka rritur presionin mbi çmimet.
Të dhënat nga AirDNA tregojnë se në Tiranë numri i njësive të listuara për qira afatshkurtër ka arritur mesatarisht në 5,200 në vitin 2025, nga rreth 1,000 në vitin 2021. Në nivel kombëtar, numri i apartamenteve të listuara në platforma si Airbnb, Booking dhe Expedia ka arritur në 26,300, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.
Ndikimi i çmimeve të pronave
Ekspertët theksojnë se rritja e çmimeve të qirave lidhet edhe me shtrenjtimin e apartamenteve, veçanërisht në zonat qendrore të Tiranës. Investimet në ndërtime të reja dhe mobilimi modern kanë shtyrë çmimet drejt niveleve më të larta.
Këto zhvillime pritet të vijojnë edhe gjatë vitit 2026, duke e mbajtur tregun e qirave nën presion dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në kostot e jetesës për qytetarët.